Myku në lëkurë, si të mbrohemi



Myku i lëkurës është një sëmundje e cila lind si pasojë e shtimit të djersës. Si rrjedhojë e këtij fenomeni ulet pehashi i aciditetit të lëkurës, duke krijuar kështu kushte të favorshme të zhvillimit të mykut, që janë shkaktare të sëmundjes mykotike. Zakonisht, nga kjo sëmundje preken njerëz që bëjnë profesione të ndryshme dhe që janë të detyruar të mbajnë këpucë, siç janë ushtarakët, policët dhe disa profesione të tjera. Myku shfaqet kryesisht midis gishtave të këmbëve, por nuk mund të përjashtohen edhe vende në pjesë të ndryshme të trupit. Personat, të cilëve iu është krijuar myku, në fillim kanë skuqje në vendin e shfaqjes së tij, çarje të lëkurës dhe iu krijohen disa flluska që pas disa ditësh zverdhen, pra qelbëzohen dhe kështu shfaqen shenjat e infeksionit. Kjo mund të quhet dhe një myk i infektuar. Për të kuruar një pacient që ndodhet në këtë gjendje, fillimisht duhet trajtuar në dy pista që janë: shkaku i shfaqjes së kësaj sëmundjeje dhe e dyta infeksioni dytësor.
Kujdesi
Sipas mjekëve, gjatë stinës së verës, një kujdes i veçantë duhet treguar gjatë ekspozimit në diell, i cili nuk duhet që t’i kalojë caqet e tij. Kujdes duhet të kenë gratë, pasi në këtë stinë rrezikon t’iu shfaqet lukusi i inflamatodës, diskozës ose i gjeneralizuar. Gjithashtu, rrezikohen të shfaqen edhe disa njolla të bardha në fytyrë dhe në duar. Këtu veçohen edhe disa sëmundjet infektive, sidomos tek fëmijët e vegjël. Kjo ndodh për shkak të qëndrimit në zona të papastra, që janë lënë në mëshirë të fatit. Vendet ku ka mbeturina pa kriter, në plazhe apo zona turistike, janë tepër problematike dhe shkaktojnë sëmundje infektive. Të njëjtin efekt mund ta japin edhe ambientet e ujit të papastër në disa zona, ku sasia e mikrobeve e kalon dyfishin apo trefishin e mikrobeve. Në ambientin e ndotur me mbeturina, shkak për fillimin e infeksioneve mund të bëhen edhe mushkonjat dhe mizat e ndryshme. Tek fëmijët me lëkurë të dobët fizikisht dhe dermatologjikisht, sëmundjet janë më të predispozuara për t’u shfaqur. Kështu, shenjat shfaqen në fytyrë, në duar me flluska të vogla në fillim të ujshme, të cilat më vonë infektohen. Më vonë ato acarohen dhe këto sjellin një temperaturë të lartë. Këtu lind nevoja e paraqitjes tek mjeku më i afërt.
Klima
Klima e nxehtë dhe e lagësht përbën një faktor risku për marrjen e infeksionit. Përveç kësaj, plazhi dhe pishinat ndikojnë në shfaqjen e formave të caktuara të mykut të lëkurës. Në përgjithësi sëmundjet mykotike prekin gati njëlloj të gjithë ata që ekspozohen ndaj faktorëve shpërthyes. Preken të dy sekset, por më tepër seksi mashkull sesa femër. Kjo shpjegohet me faktin se këto të fundit janë më pak të ekspozuara ndaj ambienteve që favorizojnë këto infeksione, si për shembull, aktivitetet sportive, higjiena jo e përsosur, mënyra e veshjes etj. Për sa i përket moshës, sëmundjet mykotike të lëkurës takohen më tepër tek të rriturit e më pak te fëmijët. Faktorët predispozues për shfaqjen e sëmundjes klasifikohen në të jashtëm dhe në të brendshëm. Ndër faktorët e jashtëm përmenden: përdorimi i rrobave të përbashkëta, si këpucë, pantofla, kapele, rroba sintetike të ngushta, këpucë plastike, të cilat krijojnë mikroklimë të disfavorshme dhe e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj infeksionit. Ndërsa si faktorë të brendshëm, më kryesori është mosha, pasi vihet re se shfaqja e këtyre sëmundjeve rritet me rritjen e moshës. Faktorë të tjerë të brendshëm janë dhe disa sëmundje: diabeti, mbipesha, pacientët që trajtohen me kortizonikë imunosupresore (për sëmundje të tjera).



Mjekimi

Këshilla e parë që jepet në këto raste është shmangia e vetëmjekimit. Kontaktimi me mjekun specialist që në momentin e parë që shfaqen problemet, ndihmon në trajtimin në kohë të sëmundjes. Skema e mjekimit varet nga shkalla e sëmundjes. Që do të thotë se, në rastet kur sëmundja shfaqet në formë të lehtë, mjekimi lokal me antimykotik, është mjaft i mirë dhe efikas. Mjekimi medikamentoz duhet të realizohet vetëm nga mjeku specialist dermatolog që në shfaqjen e shqetësimeve të para, në mënyrë që të parandalohen shfaqja dhe mbivendosja e infeksioneve dytësore. Në format e lehta mund të përdoren vetëm mjekimet lokale, ndërsa në format e avancuara është i këshillueshëm mjekimi sistematik për dy javë i shoqëruar me mjekime lokale. Është i këshillueshëm që mjekimi lokal të vazhdojë 1-2 muaj për të parandaluar përsëritjen. Gjithashtu, rekomandohet që dhe pas trajtimit, për larje të përdoren shampo dhe detergjent që përmbajnë antimykotikë.


Shkaktarët
Klima e nxehtë dhe e lagësht
Vendet me mbeturina
Djersitja e tepërt
Mungesa e higjienës personale
Plazhi dhe pishinat
Përdorimi i rrobave të përbashkëta
Rrobat sintetike të ngushta, këpucë plastike
Mosha
Disa sëmundje si: diabeti, mbipesha, pacientët që trajtohen me kortizonikë imunosupresore (për sëmundje të tjera)

Simptomat
Skuqje në vendin e shfaqjes së mykut
Çarje të lëkurës dhe krijohen disa flluska që pas disa ditësh zverdhen, pra qelbëzohen
Shfaqja e njollave kryesisht në zonën e ekstremiteteve të sipërme dhe pjesën e trungut
Njollat kanë ngjyra të ndryshme: Kafe, të bardha, dhe rozë. Ato kanë forma të ndryshme dhe duken si harta nëpër trup, gjë që nuk është estetike
Ndodh që të shfaqet dhe pruri i lehtë, por ky shfaqet kur djersit trupi

Llojet e mykut të lëkurës

Myku i lëkurës është infeksion i lëkurës, i cili shkaktohet nga disa lloj kërpudhash që quhen kërpudha dermatofite. Dallojmë këto familje:
1 Trichophyton (21 lloje) të cilat infektojnë lëkurën, flokët dhe thonjtë.
2 Microsporum (17 lloje) të cilat infektojnë lëkurën dhe flokët.
3 Epidermophyton floccosum e cila infekton lëkurën dhe thonjtë po nuk shkakton infeksion të flokëve.

Këto kërpudha dermatofite ndahen:
a) dermatofite antropofile - të transmetueshme nga njeriu tek njeriu
b)dermatofitet zoofile - të transmetueshme tek njeriu nga kontakti i drejtpërdrejtë me kafshët (mace, qeni, lopa etj) ose me produktet e infektuara nga kafshët (qumështi etj)
c) dermatofitet gjeofile - të gjendura në tokë (humusi). Të transmetueshme tek njeriu nga kontakti i drejtpërdrejtë me tokën.

Mykozat të shkaktuara nga dermatofitet, përcaktohen me emrin Tinea .
Dallojmë:
Tinea corporis - e cila karakterizohet nga ndryshime të vogla të cilat mund të shfaqen kudo në trup.
Tinea pedis - (athlete's foot) e cila karakterizohet nga infektimi i gishtit të madh të këmbës dhe shputës së këmbës. (infeksioni më i shpeshtë tek njerëzit)
Tinea unguium - mukozë e thonjve (e vështirë për t’u shëruar)
Tinea capitis - karakterizohet nga ndryshime të lëkurës së kohës.
Tinea cruris - është infeksion i zonës gjenitale
Tinea barbae - infeksion i lëkurës së fytyrës dhe qafës.