E Diele, 10 Shkurt 2008

REPORTAZH Si po shuhet vajza 30-muajshe nga Belshi i Elbasanit. Pohimet rreqethese te familjes Idrizi, si e mesuan te verteten, akuza ndaj mjekeve, lenia pa mjekim e vogelushes, braktisja nga shteti dhe kerkesa per demshperblim. Te gjitha ne nje material special per “Koha Jone”, nga i derguari yne i posacem

Binjaket dy vjece e gjysme, vijne rrotull dhomes se shtepise. Sara eshte e paster ne fytyre dhe me e gjalle, ndersa A., (“KJ” per shkak te etikes nuk publikon te dhenat e plota), motra e saj eshte e ploget, me sy te skuqur, me pucrra ne fytyre dhe mezi merr fryme. Fati do t’i ndaje perfundimisht binjaket engjellore, pasi A., eshte e infektuar me AIDS. E mitura perpiqet te luaje me ritmin e se motres, te qeshe, te vrapoje. Ajo ka shume deshire, por nuk mundet, nuk ka fuqi. Virusi i tmerrshem ka depertuar thelle ne sistemin imunitar te saj dhe cdo dite po e tret dalengadale. Familja Idrizi, me banim ne Belesh te Elbasanit, eshte duke jetuar dite te veshtira. Lajmi i infektimit me SIDA te se mitures i ka hidheruar pa mase, i ka mekur deri ne sfilitje. Askush nuk mund te shpetoje vogelushen. As mjeket, as familja, as i gjithe njerezimi. Ajo vuan infektimin fatal, semundjen e frikshme, te pasherueshme. Por sikur te mos mjaftonte ky kalvar i pamerituar, vogelushja eshte lene ta perballoje vete semundjen. Prej pese javesh, ne shtepine e saj mungon nje nga shurupet mjekuese. Asgje nuk eshte bere per te gjetur fajtoret, te gjithe ja kane mbyllur deren familjes Idrizi, e cila kerkon te zbardhet e verteta. Prokuroria hesht, mjeket vazhdojne punen, asnje ndihme apo kompensim per te mbajtur gjalle te semuren. Shkurt nje realitet i trishte.

RREFIMI

“Une, nena me e hidheruar ne bote”

Leta, nga rrethi i Tiranes, tregon se prej tete vjetesh eshte martuar me Xhimin, nga rrethi i Elbasanit dhe kane tre vjet qe u shperngulen ne Belsh. “Xhimi ka pese vjet qe punon ne Itali, pasi nuk kemi te ardhura, nuk kemi as toke dhe as asistence. Jetojme ne kete apartament ne kat te peste”, tregon nena e re dhe ndalet te lindjet e saj. Me deshiren qe femijen e dyte ta kishin djale, cifti sjell ne jete binjake. Por tete muaj pasi linden, preken nga gripi. “Ne shkuam ne qytet dhe u paraqitem te spitali pediatrik. Pasi i vizituam, mjeku na tha se jane te semura me nderlikime me bronkopneumoni. Madje, kane kaluar ne anemi. E para u shtrua Sara, ndersa A., shkoi ne shtepi. Megjithate, edhe ajo kishte shenja gripi. Ndaj u shtruan se bashku, me 6 mars 2007. Pas shtrimit, mjeku na tha se kishin nevoje per gjak e plazme. Na udhezuan te shkonim ta merrnim vete te qendra e dhurimit te gjakut. Aty gjetem mjekun pergjegjes, i cili na dha plazmen kundrejt 5 mije lekeve”. Nena sqaron se te dyja vajzat po merrnin plazme njekohesisht, duke pranuar se “cdo dite dhashe te holla per mjeket dhe infermieret”. Por, ata nuk dinin asgje per infektimin e vajzes. “Infektimi u zbulua ne gushtin e vitit te kaluar. Studentja e universitetit te Elbasanit kishte shkuar te kryeje analizat dhe ishte zbuluar se ishte infektuar me AIDS. E ka zbuluar mjekja Silva Bino. Ata e kishin pyetur se ku kishte dhuruar gjak dhe pas verifikimeve kishin zbuluar se nje nga rastet ishte edhe vajza ime”. Nena e re kujton me lot ne sy se ishte data 3 gusht, kur ne shtepi erdhi nje nga mjeket e shendetit publik, me emrin Thanas. Me pas erdhen edhe dy mjeke nga Tirana. “Ata me treguan se vajza eshte e infektuar me HIV. Lajmerova burrin, i cili erdhi menjehere nga Italia”.

Leta thote se mjeket e keshilluan si te vepronte. “Me rekomanduan qe te ruaja vajzen binjake qe te mos kishin kontakte me gjak apo plage, te ruaja dhe vajzen me te madhe”. Nena pohon se “jeta ime ndryshoi ne menyre katastrofike”. Qe nga gushti vazhdon mjekimin me tre shurupe. Por, tani gjendja eshte e rende: “Ka qe me 1 janar qe nje nga shurupet ka skaduar dhe nuk ia jap vajzes. Gjendja e saj po keqesohet. Shiheni si eshte ne fytyre”, tregon Leta me lot ne sy. Familja po perjeton edhe shkaterrim ekonomik. Detyrohen t’i marrin vete ilacet. Ato kushtojne afro nje mije euro ne muaj.

Duke pohuar se ka kaluar ne depresion nervor, thekson: “Urrej studenten, mjekun dhe stafin qe me beri gjemen” dhe apelon qe “te shkojne para drejtesise”. Ndersa evidenton dhe te drejten qe te kompensohet. Ajo sapo ka mesuar daljen e nje vaksine qe kushton afro 50 mije euro. Edhe babai i vajzes, qe punon ne Itali per familjen dhe gjemen qe i zuri, perpiqet te mesoje cdo te re nga mjekesia ne lidhje me semundjen e frikshme.

AKUZA:

Gjyshi: E infektuan per 500 leke

Agim D., babai i Letes, leshon akuza ndaj mjekeve. Ai pasi kujton si u semuren binjaket, vlereson se A., nuk kishte nevoje per gjak, por vetem plazme. “Ishte pazar mes mjekesh. Mjeku i qendres se dhurimit te gjakut e merrte gjakun pa leke nga studentja e infektuar dhe e shiste pa kontrolluar per te marre leke. Per pese mije leke te vjetra, mbesa ime u helmua dhe do te vdese”. Gjyshi tregon se “mjeket na thane t’i denoncojme pergjegjesit”. “Ashtu bera, kujton ai. E denoncuam para pese muajsh ne polici. Kam shkuar t’ia kujtoj hetuesve dhe prokuroreve. Ata me kane thene te mos shkoj me, se nuk ka ardhur dosja”. Burri ne moshe pohon se “deri tani e mbajtem te fshehur, sepse na vinte turp nga opinioni”. Ndersa shpjegon se tani po apelojne: “Si te besh ndryshe, kur jeta e vajzes eshte ne rrezik se mungojne ilacet, kur hetuesit na kthejne shpinen, kur prokurori me flak jashte, kur mjeku nuk eshte ndeshkuar”. Agimi ka vetem nje kerkese, me se normale. Kompensim per ate qe ndodhi. Dhe kjo, sipas tij, arrihet me ndeshkimin e fajtoreve dhe marrjen persiper nga shteti te ilaceve per te voglen. Sepse ajo po rritet dhe deshiron t’i gezohet kesaj bote, ndaj ka vec nje deshire, te kete jete...